Monday, October 29, 2007

( ..........)

"Shollit të ditës s'i duhet spermë komete. Ky lloj Shën njeriu do bibël të re. Një fe tjetër. Fe besim në vete. Amen. Koha jonë s'goxon të kohosh pa ne"

( A. Shkreli)

Autor: Remzi Fetahaj

Në qytetin e Prishtinës

Në këtë qytet zhurma e turmës të valëvit me orkestrën e sirenave të thirrjes
Rrugëve të hapura zhurmë agregatesh
Në mes korbave luftë identitetesh
Kalorës të zinj nga shtegu i vjetër i Lindjes
Trajta kulturash të ngarkuara aterrojnë mbi të çdo orë e nga pak
Çdo ditë e më shumë i bëjnë hije diellit retë e zbehura të Perëndimit jetik
Në qytetin e modernizuar të Prishtinës koleksion i shkërdhyer famullish
Strajcë gabelësh, turmë peshkaqenësh

Thursday, October 25, 2007

Autor: Remzi FETAHAJ

Paradoks

Me mote
Të kam matur
Njeri
Krimb i një universi

Kam heshtur dhe ecur
I verbër çuditërisht
Mbi galerinë tënde t’pshurrtë
Idealesh

Në mes qiellit dhe tokës
Orët më heshtje
T’i kam matur
Njeri qëllimisht

E di...e di

Simbol kurve je ti
Njeriu im
Asgjë më tepër...
Asgjë...

Wednesday, October 24, 2007

Shkruan: Ismail KADARE

Tregim


Vdekja e gruas ruse


Nina F. moskovite. Martuar më 1956 me një oficer shqiptar. Pas fjalëve të dua, erdhën shëtitjet në parkun Gorki, telefonimet nga kabinat e mbuluara me borë, dënesat s'do të më harrosh etj.,etj,.gjer te : qytetare Nina e pranon për burrë A.D. Dhe pastaj nënshkrimet, këmbimi i unazave, ardhja dhe muaj i mjaltit në Shqipëri .Tani ajo është shtrirë në arkivol në mes të dhomës së apartamentit, mijëra kilometra larg vendit të saj. Ka vite që s'ka marrë letër nga të vetët (letrat ishin të rralla pas prishjes së marrëdhënieve dhe vitet e fundit pothuajse janë prerë). Ajo nuk ka ditur saktësisht kush ka vdekur e kush është gjallë në familjen e saj, ashtu sikurse nuk do ta marrin vesh kurrë saktësisht nëse ajo ka vdekur vërtet e, aq më pak, vitin e vdekjes.Rrotull arkivolit një grumbull grash e qajnë në gjuhë të huaj . Janë motrat e oficerit, plaka tashmë.Për shkak të shamisë me lule me të cilën ia kanë lidhur kokën, ajo ngjanë edhe më shumë ruse dhe akoma më të trishtueshme e bën kjo e qarë në gjuhë të huaj për të .Rrallë është vajtuar një grua nga kunatat e saj me kaq ngashërim. Ky është një mendim që edhe në qoftë së nuk thuhet me zë, ndihet menjëherë . Ashtu siç ndjehet shpjegimi për të : qajnë në radhë të parë vetminë e saj .E me siguri; të tyren . Në të djathtë të arkivolit, pas shpinës së grave ngrihet një raft librash. Midis titujve, spikasin librat që flasin për prishjen me Bashkimin Sovjetik, kryesisht librat politikë të udhëheqësit të vendit .Midis tyre dhe gruas ruse shtrirë në arkivol është dënesa e grave .Është një ditë e lagët , me shi . Megjithatë askush nuk largohet para kohe nga gropa . Një grua, anëtare e kryesisë së Frontit të Bllokut , mbanë një fjalë fare të shkurtër, ku thotë se Nina F. Ishte nënë dhe bashkëshortore e mirë dhe një punonjëse e ndërgjegjshme, që në punën dhe jetën e saj kishte pasur përherë parasysh mësimet e partisë dhe të udhëheqësit të saj. Asnjë fjalë për kombësinë e saj , atë kombësi që i kishte dhënë asaj vetminë më të madhe që mund të përfytyrohet . Lamtumirë, Nina ! Këto fjalë janë të vetmet fjalë të natyrshme që thotë anëtarja e kryesisë së Frontit. Po më e natyrshme se ato është zhurma e baltës dhe guriçkave që bien mbi arkivol, me një gjuhë universale, shumë më të kuptueshme se ajo e njerëzve , ndonëse varrin për gruan e vdekur nuk po e jep toka e gjerë ruse, por trualli i ngushtë shqiptar, i cili mezi mjafton për varret e të vetëve .

Autor: Remzi FETAHAJ

Unë dhe Liria


E mora një ditë Lirinë time me vete ,
Herët në mëngjes pimë kafe tek sheshi.

Unë shfletoja gazetën, Ajo gjykonte. Unë heshtja, Ajo fliste...

Fliste , psherëtinte , bërtiste... Unë stepesha, Ajo përsëri gjykonte. Hej, dëgjon Ti ...!?

Babai yt vdiq me maliher në duar ! Andaj lëviz bythën more i mjerë më tha

Autor: Remzi FETAHAJ

Ti, e sotmja ime

Me të djeshmen ushqehem ta shijoj të sotmen
Kur fillon e nesërmja me humb çdo shpresë
Rrugët e së ardhmes fillojnë dhe me qahen
Për idhujt e zhveshur që mbartin mbi peshë
E sotmja ime ti shpesh ma zë frymën
Tundohesh mbi mua si anija mbi valë
Nga Perëndimi nisësh, mua prapa m’le
Të përgjumur në vite...depozitë mbi dhe.

Auror: Remzi FETAHAJ

Fjalë

Fjalë, një fjalë...
Një heshtje. Prapëseprapë fjalë

E dua fjalën pa fjalë miku im
Të gjakojë ashtu siç është

E çiltër
E papërdredhur

Në majën e fronit le të jetë margaritar

Le të flitet...
Le të mbetët e ngrirë si fjalë

Ashtu siç i ka hije të jetë
Fjalës... pa fjalë...